Një 31-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht gjatë punimeve për hapjen e një pusi uji në fshatin Zhitom të Poliçanit. I riu është zënë poshtë nga një masiv dheu që është shkëputur papritur gjatë punimeve.
Sipas të dhënave të policisë, shtetasi E. Gj., 39 vjeç, banues në Berat, po punonte me një mjet fadromë në tokën në pronësi të 31-vjeçarit B. K., kur dheu është shembur duke e zënë atë poshtë.
Pavarësisht ndërhyrjes, 31-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan kanë referuar materialet në Prokurori, ndërsa ndaj 39-vjeçarit E. Gj. rëndon dyshimi për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Grupi hetimor po vijon hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.