“Përplasi turistët në Ksamil, desh shtypi njërin prej tyre teksa largohej”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 30.08.2026, 01:55

Një përplasje mes dy automjeteve në Ksamil për pak sa nuk u shndërrua në një situatë edhe më të rrezikshme mbrëmjen e kësaj të shtune.

Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania janë regjistruar pak pas përplasjes mes dy automjeteve. Në video shihet çifti i turistëve teksa ka zbritur nga makina për të parë dëmet dhe për të fotografuar automjetin që, sipas dëshmitarit, i ka goditur nga pas.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër qëndron në makinë dhe, siç duket në pamje, nuk komunikon me turistët.

Pak çaste më vonë, njëri prej turistëve pozicionohet përpara automjetit, me sa duket për ta ndaluar dhe për të sqaruar situatën pas përplasjes. Por, pavarësisht se turisti ndodhet përpara makinës, automjeti vihet në lëvizje dhe ecën në drejtimin e tij. I riu detyrohet të tërhiqet me shpejtësi për të shmangur goditjen.

Sipas personit që ka dërguar videon në redaksi, drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet pas përplasjes dhe në këtë moment ka rrezikuar edhe turistin.

“Pasi e goditën këtë turistin me makinë nga mbrapa, deshën ta shtypnin vetëm për të ikur nga vendi i ngjarjes”, pretendon dëshmitari.

Pamjet e regjistruara dokumentojnë momentin kur automjeti nis të lëvizë dhe turisti, i cili ndodhet pranë tij, detyrohet të tërhiqet për të shmangur përplasjen.

Nuk dihet nëse drejtuesi i automjetit është larguar përfundimisht nga vendi i ngjarjes apo nëse rasti është raportuar në polici.

JOQ Albania mbetet e hapur për qëndrimin e palëve të përfshira në këtë incident. Nëse kanë një version tjetër të ngjarjes apo pretendime për të sqaruar, mund të kontaktojnë redaksinë tonë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit