Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Karmë të Bashkisë Vau i Dejës, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, viktima është shtetasi Sokol Preka, 40-vjeç, i cili punonte si roje në një lokal bar-kafe në pronësi të shtetasit Gj. S..
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të lokalit, ku 40-vjeçari dyshohet se ka rënë në kontakt me energjinë elektrike së bashku me një person tjetër, shtetasin David Deda, 46-vjeç, i cili punonte si elektricist.
Si pasojë e goditjes elektrike, roja i lokalit ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital, ndërsa elektricisti ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtim mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet përkatëse, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar mënyrën se si ka ndodhur kontakti me energjinë elektrike.
Njoftimi i plotë i Policisë:
“Vau i Dejës/Informacion paraprak
Në fshatin Karmë, shtetasi S. P., 40 vjeç, roje i një lokali bar-kafe, në pronësi të shtetasit Gj. S., dhe shtetasi D. D., 46 vjeç, elektricist, dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike, në ambientet e jashtme të lokalit.
Si pasojë, shtetasi S. P. ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa shtetasi D. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”