Shkon për qejf për turizem dhe përfundon duke u djegur i gjallë në dhomën e një hotelit që duhej të ishte strehë pushimi e jo kurth vdekjeje. Tragjedia e 25-vjeçares Ana Dyrmishi nga Durrësi, e cila ndërroi jetë pas djegieve të rënda në 85% të trupit nga zjarri në hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, nuk është thjesht një “aksident fatkeq”. Është epitafi i një vendi që ka braktisur çdo standard sigurie për hir të lakmisë së fitimit sezonal.
Ironia më therrëse dhe tragjike e kësaj historie është fejesa e saj. Ana kishte shkuar në Vlorë për të shijuar ditët e verës dhe për të festuar jetën, dashurinë e të ardhmen pranë të fejuarit të saj, por atë që duhej të ishte kujtimi më i bukur i rinisë, shteti dhe biznesi i papërgjegjshëm e kthyen në arkivol. Ajo dhe gjashtë personat e tjerë u detyruan të hidheshin nga ballkonet në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit vetëm sepse një godinë turistike dështoi në masat bazë të sigurisë kundër zjarrit.
Kjo ngjarje shtron pyetjen e hidhur: Sa e sigurt është në të vërtetë të bësh pushime në Shqipëri?
Ana Dyrmishi nuk jeton më, dhe ëndrrat e saj u shuan bashkë me jetën e re. Deri kur turizmi në Shqipëri të matet me fitimet e çmendura të krevateve dhe jo me jetën dhe integritetin e atyre që paguajnë për të pushuar, pushimet në bregdetin shqiptar do të mbeten një llotari fatale ku jeta varet nga fakti nëse hoteli ku ke fjetur do të marrë flakë apo jo.