RENEA zbarkoi në Korçë, i dënuari për vrasje i ikën nga duart forcave speciale

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 29.08.2026, 15:06

Forcat speciale RENEA kanë zhvilluar një operacion në qytetin e Korçës për kapjen e Mjallaq Përgjikës, një prej personave të kërkuar prej vitesh nga autoritetet dhe i dënuar me 18 vite burg për vrasje.

Operacioni është zhvilluar pas informacioneve të mbërritura në polici se Përgjika mund të ishte fshehur në një pallat në qytet. Forcat e RENEA-s kanë rrethuar zonën dhe kanë ushtruar kontrolle në ambientet ku dyshohej se mund të ndodhej i shumëkërkuari por sipas informacioneve ai është larguar nga pallati.

Megjithatë, kontrollet nuk kanë sjellë rezultatin e pritshëm. Përgjika nuk është lokalizuar dhe nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.

Mjallaq Përgjika është dënuar për vrasjen e Pëllumb Çollakut, 24 vjeç, ngjarje e ndodhur në fund të vitit 2008.

Çollaku ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët më 26 dhjetor 2008, ndërsa pas disa ditësh kërkimesh, më 3 janar 2009, trupi i tij u gjet pranë aksit rrugor Korçë-Voskopojë.

I riu ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa hetimet e zhvilluara në atë kohë çuan te identifikimi i Mjallaq Përgjikës si autor i dyshuar i ngjarjes.

Në qershor 2009, policia bëri të ditur identifikimin e tij, ndërsa sipas hetimeve të asaj kohe, vrasja dyshohej se kishte lidhje me pazare droge.

Përgjika u dënua më pas me 18 vite burg, por prej vitesh vijon të jetë në kërkim.

Në listën e personave të kërkuar nga Policia e Shtetit, ai figuron me gjeneralitetet Mjallaq (Mihallaq) Petrika Përgjika, i datëlindjes 3 dhjetor 1981, lindur në Korçë.

Operacioni i fundit i RENEA-s është një tjetër përpjekje e autoriteteve për t’i dhënë fund arratisë së tij, por pavarësisht kontrolleve intensive në zonën ku dyshohej se fshihej, i shumëkërkuari nuk është gjetur.

Kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit