Një 40-vjeçar nga Puurs-Sint-Amands është rrëmbyer në Belgjikë nga tre persona të maskuar, të cilët u paraqitën si efektivë policie. Burri dyshohet se është mbajtur peng për disa ditë në zonën e Charleroi-t, ndërsa ngjarja ka çuar në arrestimin e tre personave.
Sipas Prokurorisë së Antwerpit, gjithçka ka nisur të hënën, më 17 gusht. 40-vjeçari ishte duke lëvizur me automjetin e tij në Oppuurseweg, kur një makinë tjetër i ka dalë përpara dhe i ka bllokuar rrugën.
Prej automjetit kanë zbritur tre persona të maskuar, të cilët kanë pretenduar se ishin policë. Ata kishin edhe shirita portokalli në krahë, të ngjashëm me ato që përdoren nga autoritetet policore.
Viktima ka tentuar t’u kundërvihej, por autorët e kanë futur me forcë në bagazhin e automjetit të tyre dhe janë larguar menjëherë nga zona.
Një ndihmë e rëndësishme për hetuesit erdhi nga disa dëshmitarë, të cilët arritën të fotografonin targën e makinës së përdorur nga rrëmbyesit. Policia zbuloi se ajo ishte e vjedhur.
Më pas, përmes sistemit automatik të identifikimit të targave, ANPR, hetuesit arritën të gjurmonin lëvizjet e automjetit. Të dhënat treguan se makina ishte drejtuar drejt Charleroi-t pas rrëmbimit, duke përforcuar dyshimet se 40-vjeçari mund të mbahej peng në atë zonë.
Hetimi vijoi për disa ditë dhe rezultoi në lirimin e viktimës të premten, më 21 gusht.
“Gjatë ditëve në vijim u zhvillua një hetim shumë intensiv, i cili bëri të mundur nxjerrjen e viktimës në siguri të premten”, deklaroi Kato Belmans nga Prokuroria e Antwerpit. Ajo shtoi se, pavarësisht situatës së rëndë, 40-vjeçari ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas lirimit të tij, policia ndërmori një operacion në disa adresa në Antwerp, Bruksel dhe Sint-Gillis, me urdhër të gjyqtarit hetues.
Tre persona u vunë në pranga gjatë kontrolleve. Bëhet fjalë për dy shtetas shqiptarë, 27 dhe 42 vjeç, si dhe një shtetas belg 44-vjeçar. Të tre dyshohen për përfshirje në pengmarrje.
Dhoma e këshillit ka vendosur të konfirmojë paraburgimin për dy prej të dyshuarve. Për personin e tretë, njëri prej dy shtetasve shqiptarë, vendimi për vazhdimin e masës së arrestit pritet të merret në një moment të mëvonshëm.