U nis me kallashnikov për të vrarë autorët e dhunimit të nipit: Nela, vëllai i shefit të OPGJ-së Kavajë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.08.2026, 13:00

Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë në Malin e Robit, ku një konflikt për pagën e një 18-vjeçari rrezikoi të përfundonte me viktima.

Në qendër të zhvillimeve është 47-vjeçari Melison Nela, vëllai i Alban Nelës, shefit të OPGJ-së në Kavajë.

Sipas Policisë, Nela u kap në Kavajë teksa udhëtonte me automjet, pasi kishte marrë një kallashnikov dhe po drejtohej drejt hotelit ku pak më herët ishte dhunuar nipi i tij, 18-vjeçari Genti Nela. Dyshohet se 47-vjeçari synonte të përballej me personat që konsideronte përgjegjës për dhunimin e të riut dhe, sipas hetimeve, kishte qëllim t’i vriste.

Policia ndërhyri përpara se ai të mbërrinte në hotel. Në një çantë shpine atij iu gjetën një kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.

18-vjeçari Genti Nela punonte si kamerier në një hotel në Malin e Robit por sipas Policisë, i riu ishte dhunuar pas një konflikti për pagën dhe kishte përfunduar në Spitalin e Kavajës.

Në lidhje me dhunimin e tij janë arrestuar Florian Habilaj, 28 vjeç, djali i pronarit të hotelit, dhe Enold Dragoti, 20 vjeç. Një tjetër 36-vjeçar është shpallur në kërkim, ndërsa një person tjetër, 36 vjeç, po procedohet në gjendje të lirë.

Një tjetër element që ka ngritur dyshime te hetuesit lidhet me atë që ndodhi në hotel pas konfliktit. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, ambienti ku kishte ndodhur përplasja ishte pastruar. Gjithashtu, DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot e sistemit ishin prerë, duke bërë që pamjet e kamerave të mos ishin më të disponueshme.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë dinamikën, nga konflikti për pagën dhe dhunimi i 18-vjeçarit, te ndërhyrjet e dyshuara për të zhdukur provat dhe reagimi i armatosur i xhaxhait të tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit