Pas më shumë se tetë muajsh në arrati, Ergys Agasi do të përfundojë në paraburgimin e Bradasheshit, pikërisht në zonën ku autoritetet dyshohet se arritën të lokalizonin gjurmët e tij përpara arrestimit.
I cilësuar nga hetimet si “koordinator i krimit”, Agasi do të mbahet në masën e sigurisë “arrest në burg”, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme. Kështu, Elbasani bëhet sërish pjesë e historisë së tij, por këtë herë jo si një person që i fshihej drejtësisë, por si i arrestuar.
Sipas të dhënave të siguruara pas arrestimit, autoritetet kishin arritur të binin në gjurmët e Agasit në Elbasan. Dyshohet se gjatë muajve të arratisë ai kishte lëvizur dhe qëndruar në zona të ndryshme, mes Elbasanit dhe Durrësit, duke iu shmangur arrestimit.
Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave, pas më shumë se tetë muajsh në kërkim. Ai ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025, kur Gjykata e Posaçme caktoi ndaj tij masën “arrest në burg”, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.
Në atë kohë, edhe pse autoritetet kryen kontrolle në ambiente të lidhura me të, Agasi nuk u gjet. Arratia e tij do të zgjaste për muaj, deri në momentin kur u lokalizua dhe u vu në pranga në Durrës.
Tashmë, pas përfundimit të arratisë, ai do të qëndrojë në paraburgimin e Bradasheshit, në pritje të vijimit të procedurave gjyqësore dhe hetimeve për çështjen në ngarkim të tij.