Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi policia zbuloi 17 kilogramë kokainë të pastër të fshehur në një valixhe poshtë krevatit, në apartamentin ku jetonte me bashkëshorten e tij.
Operacioni u zhvillua në qendrën historike të Trevit, në kuadër të një hetimi të gjerë ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës, të drejtuar nga Prokuroria Antimafia e Peruxhias.
Sipas autoriteteve italiane, kokaina ishte ndarë në 15 pako dhe sasia e sekuestruar mund të shndërrohej në rreth 20 mijë doza për t’u shpërndarë në tregun lokal. Nëse do të hidhej në qarkullim, droga vlerësohet se do të gjeneronte rreth 1.3 milionë euro.
Çifti shqiptar, të dy rreth të 20-ave, jetonte me qira në apartament dhe kishte hyrë në Itali me vizë turistike. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën valixhen e fshehur nën krevat, brenda së cilës ndodhej droga.
Burri u arrestua dhe u dërgua në burgun e Spoletos, ku ndodhet në pritje të vleftësimit të masës së arrestit nga autoritetet gjyqësore.
Hetimi është pjesë e një operacioni më të gjerë kundër trafikut të drogës në zonë. Në zbulimin e aktivitetit dyshohet se kanë ndihmuar edhe kamerat e vendosura nga Policia Bashkiake e Trevit, pamjet e të cilave u vunë në dispozicion të hetuesve.
Autoritetet italiane kanë shtuar kontrollet ndaj rrjeteve të trafikut të drogës, me synim edhe parandalimin e depërtimit të parave të paligjshme në aktivitetet ekonomike të ligjshme të territorit.