Një tjetër moment tensioni është regjistruar gjatë përplasjes në Vlorë, ku një familjare e banorëve që prej 30 vitesh jetojnë në godinën pranë Kopshtit Nr. 4 ka shpërthyer në lot e akuza, ndërsa policia po ndërhynte për lirimin e banesës.
Në videon e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, gruaja dëgjohet duke kundërshtuar me tone të forta ndërhyrjen dhe duke kërkuar nga institucionet një zgjidhje për strehimin e familjes.
“Na keni bërë kriminela! Ju lutem ikni, se na keni nxirë jetën. Çfarë bëhet? Çfarë bëhet o shtet? Pse merreni me gratë që janë pa burra? Çfarë shteti është ky?”, dëgjohet të thotë ajo.
Më pas, ajo i drejtohet kryebashkiakes së Vlorës, Brunilda Mersini, të cilës i referohet si “Bruna”, duke e akuzuar se po i nxjerr familjet në rrugë.
“Bruna po i shkatërron të gjithë, Bruna i nxori të gjithë në rrugë”, shprehet familjarja.
Në momentin kur policia po hap derën e banesës, ajo kërkon shpjegime: “Pse e shqyeni derën? Cili jeni ju? Kam 30 vjet këtu. S’kam parë asnjëherë ndihmë nga shteti. Ku është arsyeja?”
E revoltuar, gruaja thotë se është e sëmurë dhe se nuk ka ku të shkojë, duke kërkuar që familjes t’i sigurohet një banesë përpara largimit.
“Ku do fle sonte unë? Ku? Duhet të më kishit gjetur një ndërtesë para se të vinit dhe unë të ikja si njeri, jo kështu si kafshë. Çfarë jemi ne? Kriminela?”, shprehet ajo.
Familja Rucaj jeton në godinën pranë Kopshtit Nr. 4, në lagjen “24 Maji”, prej vitit 1996. Sipas familjes, prindërit e Dajana Rucajt u strehuan aty nga institucionet pasi kishin mbetur pa banesë.
Bashkia e Vlorës u ka kërkuar së fundmi lirimin e godinës dhe u ka ofruar bonus qiraje prej 20 mijë lekësh në muaj për një vit. Familja nuk e ka pranuar, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme për strehimin.
Ndërkohë, çështja është në proces gjyqësor, ndërsa pas përplasjes familjes iu la një javë kohë për të liruar godinën dhe për të zhvendosur orenditë.