Një familje në Vlorë rrezikon të mbetet pa strehim, pasi Bashkia e Vlorës u ka kërkuar të lirojnë godinën pranë Kopshtit Nr. 4, në lagjen “24 Maji”, ku familja Rucaj jeton prej rreth 30 vitesh.
Dajana Rucaj tregon se prindërit e saj u strehuan në këtë godinë në vitin 1996, kur disa familje të pastreha u sistemuan aty nga institucionet. Sipas saj, godina ka shërbyer më herët si çerdhe dhe mensë.
“Këtu kam lindur dhe jam rritur. Kjo ka qenë shtëpia ime gjatë gjithë jetës”, shprehet Dajana.
Familja thotë se gjatë këtyre viteve ka paguar rregullisht energjinë elektrike dhe ujin dhe disponon dokumentacion për këto shërbime. Ndërkohë, sipas tyre, nuk kanë përfituar një certifikatë pronësie për banesën.
Prej vitesh, familja ka aplikuar pranë Bashkisë së Vlorës për një banesë sociale, por pretendon se nuk ka marrë një zgjidhje konkrete.
Pak muaj më parë, bashkia u ka kërkuar të lirojnë godinën, duke argumentuar se ajo është pronë shtetërore. Si alternativë, familjes i është ofruar bonus qiraje prej 20 mijë lekësh në muaj për një vit.
Dajana thotë se nuk e ka pranuar bonusin, pasi kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për strehimin dhe jo një alternativë të përkohshme.
“Nëse nuk e kam të shkruar dhe të garantuar që do të pajisem me një shtëpi, unë nuk largohem nga këtu”, shprehet ajo.
Situata ka sjellë edhe përplasje në terren, ku në zonë janë vendosur forca të Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit. Pas rreth një ore tensionesh, familjes iu la një javë afat për të liruar godinën dhe për të zhvendosur orenditë.
Ndërkohë, Dajana ka ngritur padi ndaj Bashkisë së Vlorës dhe çështja ndodhet në proces gjyqësor. Ajo kërkon që të mos nxirret nga banesa pa iu siguruar më parë një zgjidhje për strehimin.
Familja Rucaj, e cila aktualisht jeton aty me disa familjarë, mes tyre edhe një vajzë 3-vjeçare, thotë se nuk ka ku të shkojë dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve për një zgjidhje përfundimtare.