Vr*sja e 25-vjeçares shtatzënë ngre Kosovën në këmbë, protestë masive

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 28.08.2026, 16:15

Thirrjet kundër dhunës ndaj grave kanë marrë sot zë në Prishtinë, ku qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në protestë pas vrasjes së Jetlira Foniqit, 25-vjeçares shtatzënë nga Malisheva.

Jetlira humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri në banesën e saj në fshatin Kërvasari të Malishevës. Ajo ishte në javën e 34-t të shtatzënisë. Rasti është iniciuar nga autoritetet si “vrasje e rëndë”.

Protesta në Prishtinë u zhvillua si një reagim ndaj kësaj ngjarjeje tragjike dhe rasteve të tjera të dhunës ndaj grave. Protestuesit kërkuan drejtësi për Jetlirën dhe masa konkrete nga institucionet për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve të grave. Pjesë e protestës ka qenë dhe nëna e viktimës.

Në fokus të protestës ishte edhe përgjegjësia institucionale, me thirrje që raste të tilla të mos trajtohen vetëm pasi tragjedia ka ndodhur, por të ndërmerren hapa konkretë për mbrojtjen e grave që ndodhen në situata rreziku.

Ngjarja në Malishevë ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Bashkëshorti i Jetlirës, Egzon Bytyqi, ishte personi i dyshuar për vrasjen. Ai mbeti gjithashtu i plagosur në ngjarje dhe ndërroi jetë më 27 gusht në QKUK, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes vijojnë.

Emri i Jetlira Foniqit tashmë është kthyer në simbolin e një tjetër tragjedie që ka rikthyer në vëmendje një prej problematikave më të rënda të shoqërisë kosovare: dhunën ndaj grave dhe nevojën për reagim më të fortë institucional.

“Drejtësi për Jetlirën!” ishte një nga mesazhet që përcolli protesta, ndërsa kërkesa e pjesëmarrësve ishte që vrasjet e grave të mos mbeten vetëm statistika, por të shërbejnë si alarm për veprime konkrete.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit