Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një vjedhje të pazakontë të ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Vlorës.
Sipas pamjeve të siguruara nga redaksia, tre të rinj ndalojnë automjetin pranë një karburanti dhe, pasi konstatojnë se punonjësi nuk ndodhet në zyrë, njëri prej tyre zbret nga makina dhe futet brenda.
I riu duket se lëviz me qetësi në ambientet e zyrës dhe më pas merr një bidon me naftë, përpara se të largohet bashkë me dy personat e tjerë.
Një veprim që mund të duket i vogël për shkak të vlerës së sendit të marrë, por qytetari që ka kontaktuar redaksinë thotë se shqetësimi kryesor nuk është sasia e naftës, por vetë gjesti.
“Problemi nuk qëndron te shishja e naftës, por te gjesti”, shprehet denoncuesi, duke ngritur pikëpyetje mbi lehtësinë me të cilën disa persona hyjnë në ambiente të pambrojtura dhe marrin sende që nuk u përkasin.
Ngjarja është një tjetër shembull se si mungesa e vëmendjes për vetëm pak momente mund të shfrytëzohet nga persona që tentojnë të marrin atë që nuk u përket.
Qytetari u bën thirrje të rinjve të kthejnë aty ku kanë marrë sendin para se të përfundojnë në polici.