Tre persona, një i rritur dhe dy të mitur, kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën A1, pranë Unecit në Slloveni.
Viktimat ishin shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Në automjet ndodheshin pesë persona. Dy të tjerë mbetën të lënduar: njëri u dërgua me helikopter në spital në gjendje të rëndë, ndërsa shoferi u transportua me autoambulancë.
Sipas raportimeve të mediave sllovene, një kamion ishte ndalur në zonën e parkimit për shkak të një defekti, kur vetura u përplas në pjesën e pasme të majtë të rimorkios.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se viktimat dhe të lënduarit janë shtetas maqedonas. Ambasada në Lubjanë është njoftuar nga Policia sllovene, ndërsa rasti po hetohet nga autoritetet kompetente në Koper.