Bledar Muça, i njohur në Aartselaar të Belgjikës si “Anglezi”, u ekzekutua më 22 janar 2022, pranë apartamentit ku jetonte, vetëm disa dhjetëra metra larg një poste policie. Rreth orës 23:00, teksa po kthehej në banesë, ai u qëllua me armë zjarri nga persona që dyshohet se e kishin pritur në pritë. Një fqinj dëgjoi rreth gjashtë të shtëna dhe pa një person që largohej drejt një makine. Muça u gjet i pajetë me plagë plumbi në kokë. Në vendngjarje u sekuestruan 16 gëzhoja 9 mm dhe nga trupi i viktimës u nxorën gjashtë predha. Prokuroria belge e cilësoi ngjarjen si një “larje hesapesh profesionale” në botën kriminale.
Në Belgjikë, Muça dukej si një person me profil të ulët. Në vitin 2018 ishte dënuar në mungesë me katër muaj burg për një vjedhje në një supermarket Carrefour në Schoten, ku së bashku me tre persona të tjerë ishte kapur me aksesorë celularësh, çelësa tubularë, llamba dhe një kuti prezervativësh, me vlerë totale rreth 600 euro. Në Aartselaar jetonte me qira në një apartament modest, ishte korrekt me pagesën e qirasë dhe njihej nga fqinjët si një burrë i qetë e i sjellshëm, që fliste kryesisht anglisht. Por pas këtij profili fshihej një histori tjetër. Sipas gazetarit investigativ shqiptar Artan Hoxha, Muça kishte ardhur nga Dubai në Belgjikë dhe ishte i përfshirë në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të kokainës, me një pjesë të drogës që, sipas tij, kalonte nga porti i Antwerpenit drejt Britanisë së Madhe. Hoxha e ka cilësuar Muçën si “bankomatin” e klanit Çapja, duke e lidhur me Florenc dhe Ardian Çapjan.
Muça kishte qenë prej vitesh objektiv i atentateve. Në shkurt 2016, ai dhe Florenc Çapja ishin në një lokal në Elbasan kur persona të armatosur hapën zjarr, duke vrarë tre persona dhe plagosur të tjerë. Vetëm katër muaj më vonë, të dy u sulmuan sërish pranë prokurorisë së Elbasanit, ndërsa ndodheshin në një Golf me xhama të blinduar; Muça u plagos, por mbijetoi. Sipas dosjeve të SPAK, ndaj tij kishte nisur një tjetër plan vrasjeje në Belgjikë që në mars 2020, ndërsa në vitin 2021 dyshohet se kundërshtarët kishin hartuar edhe një skenar për ta vrarë gjatë një konflikti të sajuar, duke e paraqitur ngjarjen si vetëmbrojtje. Në janar 2022, sipas hetimeve, vendndodhja e tij në Aartselaar u identifikua dhe më pas u krye vëzhgimi i banesës. Një Toyota RAV4 me targë holandeze të klonuar dyshohet se u përdor për arratisje, ndërsa një gjurmues GPS ishte vendosur nën makinën e Muçës një ditë para vrasjes.
Sipas të dhënave të dosjes, pas ekzekutimit makina e përdorur nga autorët u dërgua në Koekelberg, në një garazh të marrë me qira paraprakisht. Hetimet kanë çuar në arrestimin e disa personave, ndërsa Sergej H. u ekstradua në Shqipëri më 12 shkurt. Dokumentet e SPAK dyshojnë se vëllezërit Çela kishin drejtimin e përditshëm të organizatës kriminale dhe se ata kishin dhënë urdhrin për gjetjen dhe eliminimin e Muçës, duke siguruar gjithashtu para, armë dhe mjete për ekzekutorët. Megjithatë, pavarësisht hetimeve dhe arrestimeve, deri tani nuk ka një dënim përfundimtar për vrasjen e Bled Muçës. Historia e tij mbetet një nga rastet ku një figurë që në Belgjikë dukej si një “hajdut i vogël” rezultoi, sipas hetimeve shqiptare dhe raportimeve investigative, në qendër të një lufte të përgjakshme mes grupeve kriminale shqiptare.