Zhduken 500 kg kokainë me vlerë 30 milionë €, shqiptari mban peng shoferin për 10 ditë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.08.2026, 11:06

Policia Kombëtare e Spanjës ka liruar në Caldes de Montbui, në Barcelonë, një person që mbahej peng prej dhjetë ditësh, pas një konflikti të lidhur me zhdukjen e dyshuar të një ngarkese prej më shumë se 500 kilogramësh kokainë, me vlerë rreth 30 milionë euro.

Viktima, e cila kishte shenja të dukshme dhune pasi ishte rrahur në mënyrë të përsëritur, u shpëtua në momentin kur rrëmbyesi po e transportonte me automjet drejt një zone malore dhe të izoluar.

Sipas autoriteteve spanjolle, gjatë ndërhyrjes, rrëmbyesi tentoi t’i përplaste agjentët me automjet për t’i shpëtuar arrestimit. Më pas, ai u përpoq të nxirrte një pistoletë që e kishte fshehur në një çantë të vogël të vendosur rreth belit.

Hetimi u drejtua nga Seksioni i Rrëmbimeve dhe Zhvatjeve i UDEV Central, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Gjyqësore, dhe nisi pas marrjes peng të një personi, në kuadër të një konflikti të krijuar pas humbjes së dyshuar të një ngarkese me më shumë se 500 kilogramë kokainë.

Ngarkesa dyshohej se do të transportohej me rrugë drejt Portugalisë, përmes territorit spanjoll. Sipas hetuesve, kreu i organizatës, me origjinë shqiptare, ia kishte besuar transportin e drogës një shoferi ndërmjetës. Ky i fundit, nga ana e tij, kishte angazhuar një person të tretë për të kryer transportin. Dy personat e përfshirë në transport ishin shtetas rumunë.

Gjatë rrugës, shoferi që më pas u mor peng pretendoi se ngarkesa kishte pësuar një “vuelco”, term i përdorur në zhargonin e trafikut të drogës për rastet kur një grup kriminal i grabit drogën një grupi tjetër.

Pasi njoftoi për zhdukjen e ngarkesës, nga frika e hakmarrjes, shoferi u arratis dhe u fsheh. Në fund të korrikut, kreu i organizatës dyshohet se e gjeti dhe e rrëmbeu me dhunë, duke e mbajtur peng për dhjetë ditë.

Gjatë kohës që mbahej i izoluar, viktima iu nënshtrua dhunës së përsëritur fizike dhe kërcënimeve. Sipas policisë, qëllimi ishte ta detyronin të tregonte vendndodhjen e transportuesit tjetër, i cili ishte zhdukur, si dhe destinacionin përfundimtar të ngarkesës së kokainës.

Ndërhyrja e policisë përfundoi me lirimin e pengut dhe arrestimin e autorit të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin kriminal dhe fatin e ngarkesës së drogës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit