Xhaxhai e ftoi në ditëlindjen e gruas, nipi me shokë i vjedhin 27 mln lekë e bizhuteri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.08.2026, 10:16

Një hetim i zhvilluar gjatë muajit gusht nga efektivët e Komisariatit nr. 6 dhe Prokuroria e Tiranës ka zbardhur një grabitje të ndodhur në banesën e një kasapi në kryeqytet. Në qendër të hetimit është 26-vjeçari Leonardo Sinani, nipi i të dëmtuarit, i cili dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar grabitjen.

Sipas hetimeve, në banesë janë marrë rreth 27 milionë lekë të vjetra, ndërsa autorët kanë vjedhur edhe bizhuteri floriri, përfshirë ora, byzylykë dhe varëse, me vlerë rreth 5 milionë lekë.

Për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Leonardo Sinanin, Mark Hilën dhe Kleand Tomën. Ndërkohë, Antonio Budini, nga Lezha, është shpallur në kërkim.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e 14 gushtit 2026. Durim Sinani ndodhej në një lokal në zonën e Ibës, ku po festonte ditëlindjen e bashkëshortes së tij. Në festë kishte marrë pjesë edhe nipi Leonardo.

Sipas dosjes hetimore, ndërsa ishte në festë, Leonardo Sinani dyshohet se po koordinonte grabitjen me tre bashkëpunëtorët e tij. Hetuesit dyshojnë se ai u kishte dhënë informacionet e nevojshme për banesën dhe kohën kur familja do të mungonte.

Durim Sinani ka deklaruar se gjatë mbrëmjes kishte vënë re përmes telefonit se kamerat e sigurisë së shtëpisë nuk po funksiononin. Në një prej pamjeve kishte parë edhe një person pranë portës, por nuk kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje.

Kur familja u kthye në shtëpi, rreth orës 01:00, gjeti banesën të përmbysur. Dyert ishin hapur me forcë, sirtarët ishin kontrolluar dhe nëpër dhoma kishte sende të shpërndara. Nga kontrolli rezultoi se ishin marrë paratë dhe bizhuteritë e familjes.

Grabitësit kishin marrë edhe pajisjen DVR ku ruheshin pamjet e kamerave të jashtme. Megjithatë, dy kamera të tjera të vendosura brenda banesës kishin regjistruar tre persona të maskuar, me kapuçë dhe doreza, duke kontrolluar ambientet e shtëpisë.

“...në total më kishin vjedhur shumën 27 milion lekë dhe bizhuteri floriri në vlerën 5 milion lekë...”, ka deklaruar në polici Durim Sinani.

Dyshimet për rolin e nipit janë shtuar edhe pas dëshmisë së djalit të të dëmtuarit. Ai ka treguar se para se të shkonin në festë, Leonardo e kishte pyetur nëse shtëpia kishte mbetur bosh dhe nëse kishte njeri brenda.

Gjatë mbrëmjes, sipas dëshmisë, 26-vjeçari qëndronte shpesh në telefon, dilte jashtë lokalit dhe në disa raste largohej me makinë, për t'u kthyer më pas. Rreth orës 22:45 ai është larguar nga festa.

Sipas hetuesve, pas largimit nga lokali, Leonardo Sinani dyshohet se është bashkuar me tre personat e tjerë dhe së bashku kanë realizuar grabitjen e banesës së xhaxhait të tij.

Tashmë, tre të arrestuarit ndodhen në masën “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rolit të secilit person në këtë ngjarje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit