Familja rumune tenton të fusë thikë dhe celular në burgun e grave në Pogradec

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 28.08.2026, 10:27

Tre anëtarë të një familjeje nga Rumania, babai, nëna dhe vëllai, janë shoqëruar nga policia pasi dyshohet se tentuan të fusnin sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Veprave Penale për Gratë në Pojskë të Pogradecit. Ngjarja u zbulua një ditë më parë, kur familjarët kishin shkuar për të vizituar të afërmen e tyre, e cila ndodhet në burg duke vuajtur dënimin për veprën penale të mashtrimit.

Gjatë kontrollit të çantave me rroba dhe sende të tjera që familjarët kishin sjellë për të dënuarën, punonjësit e burgut gjetën të fshehura një thikë dhe një telefon celular, të cilat ndalohet të futen në ambientet e institucionit. Sipas të dhënave paraprake, familja rumune kishte mbërritur në Shqipëri vetëm dy ditë para ngjarjes dhe më pas ishte nisur drejt Pogradecit për të takuar të afërmen e tyre.

Pas zbulimit të sendeve të ndaluara, grupi hetimor ka nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat dhe veçanërisht arsyen e futjes së thikës në rrobat e të dënuarës. Sipas hetimeve paraprake, gruaja nuk ka pasur konflikte me të dënuarat e tjera, ndërsa kontrolli i ushtruar më pas në qelinë e saj nuk ka rezultuar me gjetjen e sendeve të tjera të paligjshme. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit