Një gjest i bukur dhe shembull për t’u ndjekur ka ndodhur në Prizren.
Një nxënëse e re, O.T., e lindur në vitin 2011, ka gjetur një kuletë me para dhe dokumente personale në rrugën “Ekrem Rexha”.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës 20:45. Nxënësja, së bashku me prindin e saj, nuk ka hezituar dhe kuletën e ka dorëzuar menjëherë në Stacionin Policor të Trafikut në Prizren.
Policia, përmes dokumenteve që ndodheshin në kuletë, ka arritur ta kontaktojë pronarin, i cili më pas është paraqitur në stacion dhe ka marrë sendet e tij.
Pronari e ka falënderuar nxënësen për veprimin e saj të ndershëm, ndërsa Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si shembull të përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit të mirë mes qytetarëve dhe policisë.
Një gjest i vogël, por me shumë vlerë. Respekt për nxënësen!