Ky është i riu që vdiq tragjikisht në liqenin e Komanit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 27.08.2026, 15:15

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të mërkurën, më 26 gusht, në liqenin e Komanit, ku një 20-vjeçar nga Kosova dyshohet se është mbytur teksa po lahej.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30, në vendin e quajtur “Breg Lumi”, në Fierzë.

Sipas Policisë, i riu me inicialet L. D., rreth 20 vjeç, kishte hyrë në liqen së bashku me disa shokë. Pak më vonë, ai dyshohet se është mbytur në ujë.

“Rreth orës 17:30, në liqenin e Komanit, në vendin e quajtur ‘Breg Lumi’, Fierzë, shtetasi kosovar L. D., rreth 20 vjeç, i cili ka qenë së bashku me disa shokë, dyshohet se është mbytur teksa lahej në liqen”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

I riu është identifikuar si Ledri Duraku. Për ndarjen e tij tragjike nga jeta ka njoftuar edhe shkolla ku ai ishte nxënës, SHMLT “Nexhmedin Nixha”.

Në një njoftim prekës, shkolla ka shprehur ngushëllimet për familjen Duraku, duke e kujtuar Ledrin si pjesë të komunitetit të saj.

“Humbja e një të riu është një dhimbje e madhe dhe e vështirë për t’u përshkruar me fjalë. Ledri do të mbetet në kujtesën tonë si pjesë e shkollës dhe e brezave që kaluan nëpër bankat e saj”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e shkollës.

SHMLT “Nexhmedin Nixha” u ka shprehur ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe miqve të 20-vjeçarit.

“U prehtë në paqe Ledri! Kujtimi për të qoftë i përjetshëm”, përfundon njoftimi.

Ngjarja ka tronditur familjarët, miqtë dhe komunitetin ku i riu ishte pjesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit