Arrestohet vëllai i Florin Mhillajt që akuzohet për vrasjen e çiftit Mujeci

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 27.08.2026, 15:38

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ka finalizuar operacionin e koduar “Unaza”. Në pranga ka rënë 41-vjeçari A. M., banues në Malecaj-Torovicë, i cili u lokalizua në fshatin Torovicë duke qarkulluar me një automjet të blinduar. Sipas policisë, ai nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi, duke u ndjekur nga shërbimet e Policisë deri në fshatin Malecaj, ku u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.

Gjatë ndjekjes, 41-vjeçari dyshohet se ka hedhur në tokë një pistoletë me fishek në fole dhe krehërin e saj me disa fishekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit, municionet dhe automjeti i blinduar. Sipas autoriteteve, i arrestuari ka precedent të mëparshëm penal për kanosje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

41-vjeçari rezulton të jetë vëllai i Florin Mhillajt, i shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të prillit të këtij viti në aksin Balldren-Torovicë, ku u vranë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Ndërkohë, materialet procedurale të arrestimit të 41-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit