Një plagë në qafë i mori jetën, Esma kishte qenë prej vitesh viktimë e dhunës barbare nga bashkëshorti

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.08.2026, 14:00

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Rodopin në Greqi, ku 44-vjeçarja shqiptare Esma Meço u vra nga bashkëshorti i saj 53-vjeçar, vetëm një ditë para se të takohej me avokaten për të nisur procedurat e divorcit.

Esma, me origjinë nga Gramshi, punonte sezonalisht në Thassos dhe ishte kthyer në shtëpi për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare. Por ajo që duhej të ishte një moment familjar u kthye në një tragjedi, pasi bashkëshorti i saj e goditi me thikë në qafë brenda banesës.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, një plagë e vetme ishte fatale. Goditja ishte aq e thellë sa kishte prekur mushkërinë e djathtë, duke shkaktuar hemorragji të rëndë. Vdekja e 44-vjeçares dyshohet se ka ardhur brenda vetëm pak minutash. Në trupin e saj nuk janë konstatuar dëmtime të tjera, ndërsa thika e përdorur raportohet të ketë qenë rreth 20 centimetra e gjatë.

Sipas mediave greke, Esma kishte qenë prej vitesh viktimë e dhunës në familje. Në vitin 2022, ajo e kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë kur familja ndodhej në Kretë. Burri ishte arrestuar, por më pas ishte liruar.

Avokatja e 44-vjeçares, Evangelia Kola, ka deklaruar se çifti ishte ndarë kohët e fundit dhe se Esma kishte marrë vendimin për t’u divorcuar. Ajo kishte planifikuar një takim me avokaten pikërisht ditën pas vrasjes.

Hetuesit dyshojnë se xhelozia mund të ketë qenë një prej shkaqeve të episodeve të vazhdueshme të dhunës, ndërsa nuk përjashtohet që vendimi i gruas për t’u divorcuar të ketë përshpejtuar përshkallëzimin fatal.

Ngjarja është edhe më e rëndë për shkak se në banesë ndodheshin dy fëmijët e çiftit. Vajza 16-vjeçare ka parë nënën e saj të sulmohej, ndërsa djali 19-vjeçar e ka marrë në krahë dhe e ka transportuar me urgjencë drejt spitalit. Megjithatë, mjekët nuk mundën ta shpëtonin.

Pas krimit, 53-vjeçari tentoi t’i jepte fund jetës duke u vetëplagosur me thikë dhe duke konsumuar një sasi të panjohur lëngu, që dyshohet se mund të ketë qenë pesticid ose vaj. Ai mbijetoi dhe ndodhet i shtruar në spital nën mbikëqyrjen e policisë.

Ndërkohë, ndaj tij është ngritur çështje penale për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të legjislacionit për armët. Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e krimit.

Në fshatin Dialambi, banorët e përshkruajnë Esmën si një grua punëtore dhe të përkushtuar ndaj familjes së saj, e cila punonte gjatë sezonit turistik për të siguruar të ardhura për fëmijët.

Një jetë e kaluar mes dhunës dhe përpjekjes për t’u larguar nga një martesë e dhunshme u mbyll në mënyrë tragjike, vetëm pak orë përpara se 44-vjeçarja të hidhte hapin e radhës drejt divorcit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit