Pas arrestimit të Ergys Agasit mbrëmjen e 26 gushtit, hetimet e SPAK vijojnë dhe janë përqendruar kryesisht te pasuritë e biznesmenit. Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë sekuestruar një automjet luksoz tip “Land Rover Defender 110 (L663)”, i cili dyshohet se ishte fshehur në garazhin e një vile në kompleksin “Equos Resort”. Sipas të dhënave, makina ishte gjetur rreth dy javë më parë dhe tashmë ndodhet nën administrimin e autoriteteve.
SPAK ka sekuestruar më herët në total 29 prona të lidhura me Agasin, mes tyre apartamente, vila dhe sipërfaqe toke në Tiranë dhe Durrës, si edhe llogari bankare dhe kompaninë “EA Solution”. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e “Equos Resort”. Agasi akuzohet për disa vepra penale, përfshirë grupin e strukturuar kriminal, konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dhe korrupsionin.
Ergys Agasi u arrestua teksa udhëtonte me një automjet “Audi” nga Elbasani në drejtim të Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin identifikuar mjetin në Elbasan dhe e ndoqën deri në zonën e Plepave, ku u bë ndërhyrja. Në automjet ndodhej edhe ish-polici Uljan Shpataraku, i shpallur në kërkim, ndërsa pas arrestimit Agasi u shoqërua në ambientet e Bllokut të Sigurisë në Tiranë.