Trafiku kthen në “makth” rrugën drejt Pogradecit, bie numri i turistëve nga Tirana

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.08.2026, 09:25

Trafiku i rënduar në autostradën Tiranë–Elbasan po kthehet prej muajsh në një problem serioz për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht gjatë fundjavave.

Gjatë një vëzhgimi të premten, më 21 gusht, u konstatua se nga zona e Shijonit deri te rrethrrotullimi i Bradasheshit, një distancë prej vetëm 3 kilometrash, u nevojitën rreth 30 minuta. Në kushte normale, ky segment përshkohet për 4–5 minuta.

Vonesat vijojnë edhe në hyrje të Elbasanit, ku për të mbërritur deri te Unaza e qytetit nevojiten rreth 15 minuta të tjera.

Vështirësitë në këtë aks duket se po ndikojnë edhe në lëvizjen e turistëve vendas drejt Pogradecit. Bizneset lokale raportojnë rënie të numrit të vizitorëve nga Tirana dhe Elbasani krahasuar me 2–3 vitet e mëparshme.

Përfaqësues të vilës “Bimbli” thonë se, ndonëse pushuesit nga Tirana vijojnë të jenë të pranishëm, numri i tyre është ulur, veçanërisht gjatë korrikut. Sipas tyre, trafiku i rënduar në aksin Tiranë–Elbasan mund të jetë një nga faktorët.

Të njëjtën situatë raportojnë edhe operatorët e aktiviteteve sportive në liqenin e Pogradecit, të cilët thonë se prej rreth dy vitesh kanë më pak klientë nga Tirana dhe Elbasani.

Trafiku është më i theksuar nga e premtja deri të dielën në mbrëmje, madje edhe në orët 22:00–22:30.

Disa drejtues zgjedhin rrugën e vjetër të Qafë Kërrabës ose kalimin përmes Rrogozhinës për të shmangur autostradën, por edhe këto alternativa shpesh përfundojnë në trafik, veçanërisht në hyrje të Elbasanit dhe në zonën e Bradasheshit.

Përveç fluksit të lartë të mjeteve gjatë fundjavave, situatën e rëndojnë edhe punimet për aksin Elbasan–Qafë Thanë.

Ekspertët e shohin ndërtimin e Bypassit të Elbasanit si një ndërhyrje të domosdoshme për shpërndarjen e trafikut dhe lehtësimin e një prej korridoreve kryesore rrugore që lidh Tiranën me juglindjen e vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit