Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i Forcave Operacionale që çoi në prangosjen e biznesmenit të shumëkërkuar nga SPAK, Ergys Agasi. Mësohet se bashkë me të është arrestuar edhe Ulian Shpataraku, ish-punonjës policie dhe person i besuar i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Sipas të dhënave, dy të arrestuarit janë lokalizuar fillimisht në qytetin e Elbasanit ku lëviznin me një automjet, teksa nën vëzhgim janë ndjekur deri në Durrës. Prangosja e tyre u realizua përfundimisht në zonën e Plepave.
Agasi ishte shpallur në kërkim me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së si i dyshuar në krye të një grupi të strukturuar kriminal, i cili përmes presioneve, konkurrencës së pandershme dhe ndikimit paracaktonte fituesit e tenderëve në institucionin e AKSHI-t.
Ndërkohë, autoritetet pritet të zbardhin me njoftim zyrtar rolin e saktë të Ulian Shpatarakut dhe akuzat që rëndojnë mbi të në kuadër të kësaj dosjeje.