Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Rodopeve në Greqi, ku një 53-vjeçar shqiptar dyshohet se ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij, pas një konflikti të dhunshëm brenda banesës.
Çifti, me origjinë shqiptare dhe prindër të tre fëmijëve, mësohet se është përfshirë në një debat që ka agravuar me shpejtësi. Sipas informacioneve paraprake, 53-vjeçari ka sulmuar bashkëshorten me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Ngjarja merr përmasa edhe më tragjike pasi dyshohet se ka ndodhur në prani të fëmijëve të çiftit. Vajza e madhe e familjes ka qenë ajo që ka njoftuar policinë greke, duke kërkuar ndihmë pas situatës së krijuar në banesë.
Forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa gruaja është transportuar me urgjencë në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Çifti raportohet se kishte tre fëmijë, dy prej tyre të rritur dhe një 16-vjeçar.
Kjo ngjarje e rëndë në Rodope vjen vetëm pak ditë pas krimit të dyfishtë në Athinë, ku shqiptari Altin Allmuça vrau me armë zjarri 45-vjeçaren shqiptare Julieta Obzova dhe më pas i dha fund jetës.
Në atë rast, mediat greke raportuan për një histori të mëparshme konfliktesh dhe kërcënimesh mes viktimës dhe autorit.