Më 5 nëntor bëhet një vit nga vrasja e 25-vjeçares Daorsa Spahija në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, ngjarje që tronditi familjen dhe opinionin publik.
Teksa afrohet njëvjetori i vdekjes së saj, dhimbja për familjarët mbetet ende e freskët.
Një familjare e afërt e Daorsës ka publikuar një shkrim emocional në rrjetet sociale, ku e kujton të renë dhe kërkon që drejtësia për të të vihet në vend.
“Daorsa jonë e paharruar, si ndodhi që përfundove në duart e atij që të kërcënoi, të frikësoi dhe ta mori lirinë?”, shkruan ajo.
Në mesazhin prekës, familjarja shpreh pengun që Daorsa nuk kishte folur më herët për atë që po përjetonte.
“Ah, sikur të na kishe treguar… Sikur të më kishe thënë se dikush po ta merrte qetësinë dhe lirinë.
Do t’i dilja përpara pa m’u trembur syri. Do të ngriheshim të gjitha gratë e familjes për ty, sepse ne nuk njohim frikë kur duhet ta mbrojmë gjakun tonë”.
Në shkrim përmendet edhe babai i Daorsës, Arbëri, i njohur si Beni, për të cilin familjarja thotë se do të kishte bërë gjithçka për ta mbrojtur vajzën e tij.