Vandalizohet Kisha e Shën Thanasit në Sinicë të Korçës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.08.2026, 07:30

Kisha e Shën Thanasit në fshatin Sinicë të Korçës, një objekt i rrallë kulti i vendosur rreth 1,300 metra mbi nivelin e detit, është bërë pre e një akti vandalizmi. Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e kishës, duke thyer ikona, dëmtuar objekte të shenjta dhe hedhur çimento brenda saj. Ngjarja është denoncuar nga banorët dhe dashamirësit e fshatit, të cilët prej vitesh kujdesen vullnetarisht për mirëmbajtjen e këtij simboli të traditës dhe kulturës lokale.

Banorët e Sinicës shprehen se dëmtimi i kishës nuk cenon vetëm një objekt historik e fetar, por edhe harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare të komunitetit. Kisha respektohet dhe nderohet si nga banorët e krishterë, ashtu edhe nga ata myslimanë të zonës. Në historinë e fshatit kujtohen disa raste kur objekti i kultit është rindërtuar dhe mirëmbajtur falë kontributit të përbashkët të banorëve, pa dallim feje.

Duke e cilësuar vandalizmin si një goditje ndaj historisë dhe trashëgimisë së tyre, banorët i bëjnë thirrje autoriteteve të zbardhin ngjarjen, të identifikojnë dhe të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit. Ata kërkojnë gjithashtu ndërhyrje të menjëhershme për restaurimin e dëmeve dhe marrjen e masave për mbrojtjen e kishës, në mënyrë që ky simbol i historisë, kulturës dhe bashkëjetesës së Sinicës të ruhet për brezat e ardhshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit