Kush po ia vë flakën malit të Dajtit?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.08.2026, 19:19

Një tjetër situatë shqetësuese raportohet këtë mbrëmje në malin e Dajtit, ndërsa zona është përballur me zjarre të përsëritura gjatë ditëve të fundit.

Pamjet e dërguara pak minuta më parë në redaksinë e JOQ Albania tregojnë malin e Dajtit të përfshirë nga tymi, me disa zona të shpatit ku dallohet përhapja e zjarrit. Nga distanca, pamjet krijojnë përshtypjen e disa vatrave ose të një zjarri që është përhapur në disa pika të shpatit.

“Përshëndetje JOQ, sapo ia vendosën zjarrin malit të Dajtit”, shkruan qytetari që ka dërguar videon.

Pamjet marrin një tjetër rëndësi për shkak të situatës së krijuar në Dajt gjatë ditëve të fundit. Zjarri në këtë zonë ka vijuar prej disa ditësh dhe më 19 gusht autoritetet raportuan se në Dajt po vijonte operacioni me dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës dhe forca të zonave të mbrojtura.

Më 23 gusht, Dajti vijonte të ishte ndër vatrat aktive të zjarrit në vend, ndërsa në operacion ishin angazhuar edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Më 24 gusht situata mbeti aktive në terren të vështirë, me 30 efektivë të FA-së, 30 zjarrfikës dhe një helikopter të angazhuar në zonë.

Edhe dje, më 25 gusht, Ministria e Mbrojtjes raportoi se vatra në malin e Dajtit vijonte aktive, në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, ku po ndërhyhej me forca zjarrfikëse, efektivë të FA-së dhe helikopter.

Tashmë, pamjet e reja të mbërritura në JOQ Albania ngrenë një pyetje të fortë: Kush po ia vë flakën Dajtit?

Nëse bëhet fjalë për një vatër të re, në një zonë ku zjarri ka vijuar prej ditësh, mbetet për t’u përcaktuar nga autoritetet nëse kemi të bëjmë me riaktivizim të zjarrit apo me një tjetër vatër dhe cili ka qenë shkaku i saj.

Për momentin, pamjet e qytetarit nuk mjaftojnë për të konfirmuar se zjarri është vendosur qëllimisht, por situata kërkon vëmendje dhe verifikim të menjëhershëm nga autoritetet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit