“Gëzuar ditëlindjen në qiell, Rea” – babai prek zemrat me fjalët për vajzën që humbi jetën tragjikisht

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 25.08.2026, 15:38

Rea Raka, e cila humbi jetën më 21 korrik të këtij viti pas një aksidenti tragjik në Komoran, sot do të festonte ditëlindjen e saj të 24-të.

Në këtë ditë të dhimbshme, babai i saj, Petrit Raka, ka ndarë një dedikim prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar vajzën e tij dhe momentet e kaluara me të. Ai ka shkruar se 25 gushti ishte dita kur Rea erdhi në jetë dhe ndryshoi përgjithmonë jetën e familjes së saj, duke sjellë dashuri, mirësi dhe gëzim.

“Që në çastin kur hape sytë e tu të mëdhenj e të zinj, në jetën tonë filloi të rrezatojë një ndjenjë e panjohur më parë. Ishte hera e parë që zemrat tona njohën dhe mësuan të përjetojnë dashurinë”, ka shkruar Raka.

Babai i saj ka theksuar se sot duhej të ishte një ditë feste, me përqafime e buzëqeshje, por në vend të urimit ai zgjodhi ta falënderojë vajzën e tij për gjithë dashurinë që u dha.

“Faleminderit, Rea, engjëll që patëm fatin të të quajmë vajza jonë. Çdo kujtim me ty është një pjesë e jona. Çdo buzëqeshje, çdo fjalë, çdo çast i kaluar pranë teje do të mbetet përgjithmonë i gjallë në zemrat tona të thyera”, ka shkruar ai.

Në fund të dedikimit, Petrit Raka ka thënë se Rea do të vazhdojë të jetojë përherë në kujtimet dhe zemrat e familjes.

“Gëzuar ditëlindjen në qiell, Rea. Të duam. Sot, nesër dhe përgjithmonë”, ka përfunduar ai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit