Një administratore pallati në Sarandë i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar një rast që, sipas saj, ka ndodhur ditën e sotme në ambientet e përbashkëta të pallatit.
Në mesazhin e saj, qytetarja tregon se disa turistë, të cilët kishin marrë një apartament me qira në pallat, para se të largoheshin kanë lënë mbeturinat në hyrje të godinës.
Sipas saj, kjo nuk është hera e parë që përballet me sjelljeje të tilla pasi thotë se raste të ngjashme me lënien e mbeturinave në vende të papërshtatshme i ka hasur edhe në ambiente të jashtme.
Qytetarja ngre shqetësimin për respektimin e rregullave dhe mirëmbajtjen e pastërtisë në ambientet e përbashkëta, duke pyetur nëse ka masa apo ligje që parashikojnë ndëshkime për persona që lënë mbeturinat në hapësira të tilla.
Ajo kërkon që rasti të publikohet për të sensibilizuar qytetarët dhe turistët që vizitojnë vendin tonë për të respektuar hapësirat publike dhe të përbashkëta.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ, unë jam Administratore ne një pallat në Sarandë. Sot disa turista që kanë marrë apt me qera në pallat kanë lënë mbeturinat e tyre ne hyrje të pallatit para se të largohen. Me sa di janë Serbë. A nuk duhet të ketë ligje për keto lloj veprimesh? Si mund ti lejojm të vijnë në shtetin tonë, në pallatet tona dhe të bejn veprime të tilla? Nuk eshte hera e parë që e kam parë këtë gjë dhe në ambjente të jashtme. Ju lutem ta publikoni që të shikojn të gjithë se cfarë turistash po na vijn në vendin tonë.