Një sasi lëndësh narkotike është raportuar të jetë gjetur në burgun 313 në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake, gjatë kontrolleve janë konstatuar 17 qese me kokainë dhe 13 qese me hashash.
Lëndët narkotike dyshohet se ishin fshehur në makaronat e gatuara për të dënuarin Oltjon Asllani. Zbulimi ka ngritur dyshime për mënyrën se si droga është futur në ambientet e burgut dhe se kush qëndron pas tentativës për ta kaluar atë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Për ngjarjen pritet të nisë një hetim për të dokumentuar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë. Autoritetet do të verifikojnë gjithashtu origjinën e lëndëve narkotike dhe mënyrën se si ato kanë përfunduar në ushqimin e të dënuarit.
Asllani është 28-vjeçari që të premten 22 gusht 2025 qëlloi me kallashnikov drejt një mjeti në lëvizje në zonën e Kombinatit, pas një konflikti të dhunshëm me disa persona, duke terrorizuar edhe kalimtarët në rrugë pasi doli nga mjeti me armë në dorë.