Kosova e varur nga mishi brazilian, ndërsa BE-ja vendos kufizime.
Mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili ka importuar Kosova vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti.
Brazili është furnizuesi më i madh i Kosovës me këto produkte, por nga 3 shtatori një pjesë e eksporteve të tij me origjinë shtazore do të përballet me kufizime në Bashkimin Evropian.
Arsyeja lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor. Shqipëria ka njoftuar se do të zbatojë masa të ngjashme nga e njëjta datë.
Kosova, deri më tani, nuk ka njoftuar për ndonjë masë, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e mishit që importon, vjen pikërisht nga ky shtet i Amerikës Jugore.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në korrik të vitit 2026, vlera e mishit të gjedhit dhe të pulës të importuar nga Brazili ka kaluar 50 milionë euro.
Për krahasim, importet e këtyre dy llojeve të mishit nga të gjitha shtetet e tjera së bashku kanë arritur në mbi 65 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë.
Në këto shifra nuk përfshihen kafshët e gjalla që importohen për therje dhe as produktet e përpunuara të mishit të gjedhit dhe të pulës.