Një qytetar ka denoncuar gjendjen e rënduar të rrugës pranë varrezave të reja në Sharrë, duke pretenduar se çdo ditë kalimi bëhet më i vështirë. Sipas tij, rruga po ngushtohet dhe qytetarët detyrohen të kalojnë pranë dhe sipër varreve për të vijuar lëvizjen. Në rast reshjesh, situata bëhet edhe më problematike, ndërsa denoncuesi shprehet se nuk ka pasur ndërhyrje nga Bashkia për përmirësimin e rrugës.
Qytetari ngre shqetësimin për mungesën e mirëmbajtjes dhe kërkon të dihet se cili institucion është përgjegjës për rrugën e varrezave. Ai e cilëson gjendjen si skandaloze dhe të denjë për ndërhyrje urgjente, duke theksuar se qytetarët po përballen me vështirësi edhe për të shkuar te varret e të afërmve të tyre. Denoncuesi ka kërkuar të mbetet anonim dhe ka bërë me dije se do të dërgojë edhe pamje të tjera nga zona.
Denoncim:
Përshëndetje! Këtu jemi te varrezat e reja në Sharrë dhe çdo ditë rruga po mbyllet. Ne detyrohemi të kalojmë sipër varreve, pasi aq rrugë sa ka mbetur është në gjendje skandaloze. Nëse fillon shiu, as çizmet nuk bëjnë punë. Nuk ka asnjë ndërhyrje apo punim nga Bashkia. Pyetja është: kush i administron rrugët e varrezave? A duhet që çdo qytetar të paguajë për të rregulluar ato pak metra rrugë pranë varrit të të afërmit? E kanë bërë si mal: gjej varrin dhe hipi sipër! As në vitet ’60 nuk ka qenë në këtë derexhe. Ju lutem, publikojeni pa emër. Do të sjell sërish pamje të tjera nga gjendja e rrugës.