Tornadoja shkatërron jugperëndimin e Francës: 39 të plagosur dhe 300 shtëpi të dëmtuara

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.08.2026, 10:16

Një tornado e fuqishme ka goditur fshatin Pomas, në jugperëndim të Francës, duke plagosur 39 persona dhe duke dëmtuar rreth 300 banesa.

Autoritetet franceze bëjnë me dije se 15 persona janë dërguar në spital, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike. Një banor ka treguar se bashkëshortja e tij shtatzënë mbeti e plagosur pasi shtëpia e tyre u shemb mbi të.

Më shumë se 120 efektivë dhe punonjës të shërbimeve të emergjencës u angazhuan në Pomas, në jug të Carcassonne, pasi erërat arritën shpejtësinë 117 km/h. Stuhia shkuli çatitë e banesave, rrëzuan pemë dhe shkaktuan dëme të mëdha në të gjithë zonën.

“Gjysma e fshatit është shkatërruar”, tha një banor i quajtur Pierre, i cili e përshkroi tornadon si një “oxhak të madh të kuq dhe të verdhë” që rrotullohej me shpejtësi.

Një pjesë e një kështjelle historike është shembur gjithashtu. “Është një kështjellë e madhe dhe një e treta e saj është shembur, edhe pse këta janë gurë që kanë qëndruar për 1,000 vjet”, tha Pierre për mediat lokale.

Stuhia e fuqishme ndikoi edhe në aktivitete sportive. Etapa e tretë e garës çiklistike Vuelta a España, e cila zhvillohej në zonën e Aude, u anulua pasi një stuhi breshëri i detyroi çiklistët të kërkonin strehim rreth 15 kilometra para vijës së finishit.

Sipas autoriteteve, rreth 2,800 banesa në 10 fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Nënprefektja lokale Emmanuelle Plantier-Lemarchand tha për radion franceze se nuk kishte informacion për persona të zhdukur. Ajo konfirmoi gjithashtu se numri i të plagosurve ishte rishikuar nga 41 në 39.

Autoritetet franceze kishin lëshuar alarm portokalli për stuhi në pjesë të mëdha të jugperëndimit të vendit, një zonë që ishte përballur më herët edhe me ndërprerje të energjisë dhe probleme në transport.

Pamjet e publikuara nga dëshmitarët tregojnë vorbullën e tornados që ngrihet në horizont mbi banesa dhe pemë. Në Pomas, fshati më i goditur, janë regjistruar pemë të shkulura me rrënjë, automjete të dëmtuara dhe rrënoja nga shtëpitë e shkatërruara.

Stuhia shkaktoi gjithashtu vonesa dhe anulime fluturimesh në aeroportet e Bordeaux, Marseille, Nice dhe Toulouse, si dhe në disa aeroporte në veri të Parisit, sipas ministrit francez të Transportit, Philippe Tabarot.

Ngjarja vjen në një verë të karakterizuar nga valë të jashtëzakonshme të të nxehtit dhe zjarre masive në Evropë. Jugperëndimi i Francës është ndër zonat më të prekura, me rreth 42,000 hektarë tokë të djegur në një prej zjarreve më të mëdha pyjore në vend që nga Lufta e Dytë Botërore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit