Banorët e Lagjes Nr. 1 në Durrës kanë mbetur prej tre ditësh pa ujë të pijshëm, ndërsa një qytetar ka ngritur shqetësimin për situatën dhe mungesën e reagimit nga autoritetet. Në një denoncim, qytetari kërkon ndërhyrje për zgjidhjen e problemit, duke e cilësuar situatën si të papranueshme për banorët.
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për të kontaktuar Ujësjellësin e Durrësit, telefonatat nuk marrin përgjigje. Qytetari pretendon gjithashtu se edhe në zyrat e institucionit nuk ka marrë një përgjigje konkrete për rikthimin e furnizimit me ujë, duke shtuar se banorët ndihen të shpërfillur përballë problemit.
“Ju lutemi bëni diçka, se kështu si po na trajtojnë nuk është njerëzore”, shprehet qytetari, i cili ka kërkuar të mbetet anonim. Ai e krahason situatën me kohën e komunizmit, duke ngritur shqetësimin për mungesën e informacionit dhe komunikimit me qytetarët, ndërsa kërkon ndërhyrjen e ujësjellësit dhe bashkisë Durrës për rikthimin sa më shpejt të ujit.