Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Zhym të Lushnjës, ku një 45-vjeçar ka sulmuar me sëpatë prindërit e tij. Sulmi i ka marrë jetën nënës së tij 80-vjeçare, ndërsa babai ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas të dhënave paraprake, Florion Dalladaku ka goditur me sëpatë nënën e tij, Florije Dalladakun, dhe babanë, Hasanin. 80-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Babai i 45-vjeçarit është transportuar fillimisht në spitalin e Lushnjës, ndërsa më pas, për shkak të gjendjes kritike, është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas sulmit, 45-vjeçari është larguar nga banesa duke marrë automjetin e vëllait të tij. Policia ka nisur menjëherë kërkimet dhe, pas lokalizimit të tij, një patrullë ka bërë të mundur ndalimin në Fier.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e sulmit. Në kuadër të hetimeve po merren në pyetje familjarë dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për situatën në familje dhe konfliktet e mundshme që kanë paraprirë ngjarjen.
Nga dëshmitë e të afërmve mësohet se 45-vjeçari kishte pasur prej vitesh probleme të shëndetit mendor dhe ishte trajtuar në këtë drejtim. Sipas tyre, gjatë gjashtë viteve të fundit ai kishte qenë dy herë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Të afërmit kanë treguar gjithashtu se, vite më parë, 45-vjeçari kishte tentuar të vriste me armë gjahu një bashkëfshatar, ngjarje për të cilën ishte dënuar nga drejtësia.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi motivin dhe rrethanat konkrete që çuan në sulmin brenda familjes.