Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë në Athinë, ku 45-vjeçarja Luljeta Obzova u vra nga ish-partneri i saj, 48-vjeçari Altin Allmuça, i cili më pas i dha fund jetës.
Sipas mediave greke, vëllai i viktimës ka deklaruar para policisë se prej kohësh i kishte kërkuar motrës së tij të kërkonte një urdhër mbrojtjeje, pasi ajo përballej me kërcënime dhe sjellje shqetësuese nga ish-partneri. Ai ka treguar se në një prej episodeve, Allmuça madje i kishte drejtuar armën.
“Ajo kishte nxjerrë edhe një armë. I thashë të shkonte te avokati për të marrë urdhër mbrojtjeje”, ka deklaruar vëllai i 45-vjeçares.
Sipas dëshmisë së tij, pas ndarjes, sjellja e 48-vjeçarit ndaj ish-partneres ishte përshkallëzuar. Ai e mbikëqyrte, e kërcënonte dhe dyshohet se ndërhynte vazhdimisht në jetën e saj.
Një tjetër detaj i rëndë që ka dalë në dritë lidhet me banesën e viktimës. Vëllai i saj ka treguar se Allmuça kishte një çelës rezervë dhe hynte në shtëpi në mungesë të saj. Për këtë arsye, rreth dy javë para ngjarjes, 45-vjeçarja kishte vendosur të ndërronte bravat.
“Kështu që ajo ndërroi shtëpi. Dy javë më parë ndërroi edhe bravat, sepse ai kishte një çelës rezervë dhe kur motra ime shkonte në punë, ai hynte në shtëpi”, ka rrëfyer i vëllai.
Ai ka treguar gjithashtu se motra e tij kishte vënë re disa herë se sendet në banesë ishin lëvizur.
“Kur motra ime kthehej nga puna apo nga një shëtitje, shikonte se gjërat ishin lëvizur. Më thoshte: ‘Dua një dry nesër’. Unë i thoja: ‘Do të të dërgoj të ndërrosh drynin’”, ka shtuar ai.
Pavarësisht frikës dhe kërcënimeve që, sipas familjarëve, 45-vjeçarja kishte përjetuar, situata nuk ishte raportuar zyrtarisht në polici. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, ajo nuk kishte bërë kallëzim për kërcënimet, edhe pse familja ishte në dijeni të situatës.
Në dokumentet e policisë është identifikuar vetëm një incident i mëparshëm, i regjistruar në korrik të vitit 2024 në Stacionin e Policisë së Akropolit. Në atë rast, Obzova kishte denoncuar vjedhjen e motoçikletës, duke deklaruar se pas ngjarjes dyshonte për një ish-partner, të cilin nuk e kishte identifikuar me emër.
Ngjarja tragjike ka rikthyer në vëmendje problemin e dhunës dhe kërcënimeve ndaj grave, veçanërisht në rastet kur konfliktet me ish-partnerët përshkallëzohen pas ndarjes.