Vrau nënën dhe plagosi rëndë babanë me sqepar, arrestohet në Fier 45-vjeçari

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.08.2026, 23:15

Arrestohet në Fier 45-vjeçari i dyshuar për krimin e rëndë në familje të ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku nëna e tij 80-vjeçare humbi jetën dhe babai 77-vjeçar mbeti i plagosur rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, gjithçka dyshohet se ka nisur pas një konflikti të 45-vjeçarit me vëllain e tij. Pas sherrit, situata është përshkallëzuar dhe ai dyshohet se ka sulmuar prindërit brenda banesës.

Rreth orës 21:20, 45-vjeçari Florion Dalladaku dyshohet se ka goditur me sqepar nënën e tij, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe. E moshuara ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë ngjarjes është plagosur rëndë edhe babai i tij, Hasan Dalladaku, 77 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Pas sulmit, 45-vjeçari është larguar nga banesa, duke vënë në lëvizje shërbimet e Policisë. Pas kontrolleve dhe kërkimeve, ai është lokalizuar në Fier dhe është arrestuar.

Sipas Policisë, Florion Dalladaku dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave dhe motivit të krimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit