Një turist i huaj në Sarandë është filmuar teksa ndihmon në lehtësimin e trafikut, pasi një aks rrugor ishte bllokuar për më shumë se gjysmë ore.
Pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania tregojnë turistin në mes të rrugës, teksa orienton drejtuesit e automjeteve dhe përpiqet të ndihmojë në normalizimin e qarkullimit në një prej segmenteve të rënduara nga trafiku.
Sipas qytetarit që ka dërguar videon, situata kishte zgjatur për më shumë se 30 minuta, duke shkaktuar bllokim dhe vështirësi në lëvizjen e automjeteve.
Në vend që të vazhdonte pushimet e tij, turisti duket se ka vendosur të ndërhyjë vetë për të ndihmuar në zhbllokimin e rrugës.
“Përshëndetje. Pas bllokimit të rrugës për më tepër se gjysmë ore në rrugën 5 të Sarandës, ky turist i ktheu pushimet e tij në detyrën që Policia e Shtetit duhet të kryejë”, shkruan qytetari në mesazhin e dërguar në redaksi.
Pamjet sjellin një situatë sa të pazakontë, aq edhe ironike: një turist që ka ardhur në Sarandë për pushime përfundon duke dalë në rrugë për të ndihmuar në menaxhimin e trafikut.
Në kulmin e sezonit turistik, kur qarkullimi në Sarandë rëndohet ndjeshëm, ndërhyrja e një turisti për të orientuar automjetet ka bërë që qytetari ta shohë situatën si një tjetër rast që ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e trafikut në qytet.