Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në lagjen Veternik të Prishtinës, ku një 49-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar. Rasti është raportuar rreth orës 10:00, ndërsa në vendngjarje kanë dalë ekipet policore dhe ato mjekësore.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Viktima mashkull, 49 vjeç, nuk ka arritur t’i përballojë plagët dhe i njëjti në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka deklaruar Ahmeti.
Policia, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës, ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.