Tragjedia në Malishevë: Me armën e babait dyshohet se u vra 24-vjeçarja

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.08.2026, 11:54

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen tragjike në Kërvasari të Malishevës, ku 24-vjeçarja Jetlira Foniqi Bytyqi humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri. Bashkëshorti i saj, 26-vjeçari Egzon Bytyqi, i cili gjithashtu mbeti i plagosur, po trajtohet si i dyshuar për rastin e iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, arma që dyshohet se është përdorur në ngjarje i përket babait të të dyshuarit. Policia e ka gjetur armën në shtëpinë ku ndodhi ngjarja dhe e ka sekuestruar si provë materiale. Babai i Egzon Bytyqit, sipas deklarimit të tij para autoriteteve, ka thënë se armën e posedonte me leje.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 23 gushtit, rreth orës 23:00, kur Policia është njoftuar për një plagosje me armë zjarri në fshatin Kërvasari.

Njësitë policore dhe ekipet e Emergjencës së QKMF-së në Malishevë kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku brenda një dhome gjumi janë gjetur të plagosur Jetlira dhe Egzon Bytyqi.

Të dy janë dërguar me urgjencë në QKUK në Prishtinë, mirëpo plagët e marra nga 24-vjeçarja kanë rezultuar fatale. Rreth orës 01:10, nga Emergjenca e QKUK-së është konfirmuar vdekja e saj.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, zyrtarë të lartë të Policisë dhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda. Me urdhër të prokurorit, rasti është regjistruar si “Vrasje e rëndë”.

Hetuesit po punojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes, përfshirë rrethanat në të cilat është përdorur arma dhe mënyrën se si ka ndodhur plagosja.

Ndërkohë, sipas të dhënave të rastit, i dyshuari kishte qëndruar dhe punuar për rreth katër vjet në Gjermani, ndërsa ishte kthyer në Kosovë rreth një muaj më parë. Familjarët kanë dhënë edhe deklarime lidhur me gjendjen e tij shëndetësore gjatë periudhës së fundit, por këto pretendime mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.

Fakti që arma dyshohet se i përkiste babait të të dyshuarit dhe se ajo ishte e pajisur me leje është bërë pjesë e hetimeve, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë të gjitha rrethanat që çuan në tragjedinë e rëndë në Kërvasari.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit