Babë e bir u vranë në Shkodër, pista e divorcit të Lekë Gjonit në hetim

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.08.2026, 09:53

Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi mbrëmjen e djeshme Shkodrën, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 82-vjeçari Prelë Gjoni dhe djali i tij, 57-vjeçari Lekë Gjoni. Në të njëjtin atentat mbeti i plagosur edhe Lazër Bashi.

Sipas të dhënave paraprake, objektiv i sulmit dyshohet se kanë qenë babë e bir, ndërsa Bashi u qëllua pasi ndodhej rastësisht në automjetin me të cilin udhëtonin viktimat. Automjeti tip fuoristradë u përshkua nga dhjetëra plumba, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar më shumë se 50 gëzhoja.

Policia dyshon se autorët kanë përdorur dy armë zjarri, një automatik kallashnikov dhe një armë tip MP5, çka ngre dyshimet se në sulm kanë marrë pjesë të paktën dy persona.

Prelë dhe Lekë Gjoni po udhëtonin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin në drejtim të Shkodrës. Sulmi ndodhi në momentin kur ata nuk kishin dalë ende nga rruga e fshatit Xhan. Persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj automjetit, duke shkaktuar vdekjen e babë e bir dhe plagosjen e personit që ndodhej me ta.

Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të fuoristradës, mori plagë dhe fillimisht u transportua në Spitalin e Shkodrës. Më pas ai u dërgua në Tiranë për trajtim të specializuar. Sipas informacioneve të fundit, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën.

Në lidhje me motivin e atentatit, grupi hetimor po shqyrton disa pista. Sipas mediave një prej tyre lidhet me një divorc që Lekë Gjoni kishte përfunduar pak kohë më parë dhe që mund të ketë sjellë një konflikt. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar ende si motivi i ngjarjes.

Policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa hetuesit po mbledhin prova dhe dëshmi për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e këtij atentati.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit