“Kisha fëmijët në makinë, për pak desh na vrave”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.08.2026, 23:38

Një manovër e rrezikshme e një kamioni është denoncuar nga një qytetar, në një prej segmenteve ku rruga përshkohet nga kthesa dhe dukshmëria është e kufizuar.

Në pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania, shihet një kamion që, teksa përshkon kthesën, futet në korsinë e kundërt dhe i afrohet automjetit që po lëvizte përballë. Situata bëhet veçanërisht e rrezikshme për shkak të natyrës së kthesës dhe faktit që drejtuesit kanë pak kohë për të reaguar.

Qytetari, i cili thotë se në makinë kishte fëmijët e tij, shprehet i revoltuar për atë që e konsideron një manovër që mund të kishte përfunduar në tragjedi.

“Jo për ta gjobitur këtë shofer kamioni, po vetëm për t’i dhënë një mesazh”, shkruan ai në denoncimin e tij.

Më tej, ai i drejtohet drejtuesit të kamionit dhe të tjerëve që kryejnë manovra të tilla:

“Ndërgjegjësohu ti që i jep këtij kamioni, dhe dhjetëra të tjerë si ti. Kisha kalamaj në makinë, për pak desh na vrave.”

Qytetari thotë se në ato momente mund të kishte reaguar ndryshe, por zgjodhi të mos e përshkallëzonte situatën.

“Mund të isha kthyer dhe ta kisha ndjekur, por nuk e bëra. Ndërgjegjësohuni, po merrni veten dhe të tjerët në qafë”, shkruan ai.

Në fund, ai kërkon që pamjet të publikohen si një apel për drejtuesit e mjeteve të rënda dhe jo vetëm: në kthesa të tilla, një manovër e gabuar mund të lërë shumë pak hapësirë për korrigjim.

Videoja, e filmuar në afërsi të fshatit Qukës, në aksin nacional Elbasan-Pogradec, është një tjetër kujtesë se në rrugë nuk rrezikohet vetëm personi që kryen manovrën, por edhe drejtuesit dhe pasagjerët që mund të gjenden papritur përballë tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit