Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot në fshatin Zogaj (Zagorë) të Vushtrrisë, duke protestuar kundër ndërtimit të një objekti fetar në këtë zonë.
Sipas protestuesve, në fshat nuk ka banorë të komunitetit katolik dhe ata kundërshtojnë ndërtimin e kishës, duke theksuar se qëndrimi i tyre nuk lidhet me fenë katolike, por me atë që ata e cilësojnë si nisma që mund të krijojnë përçarje.
Gjatë protestës u panë edhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës, të cilat monitoruan situatën për të shmangur tensionet.
Pak ditë më parë, në Zogaj ishte vendosur gurthemeli i Kishës Katolike “Shën Flori dhe Lauri”, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues fetarë dhe besimtarë.
Ndërtimi i objektit ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinion, ndërsa autoritetet kanë qenë të përfshira për menaxhimin e situatës dhe ruajtjen e rendit publik.