Një vatër zjarri është aktivizuar prej dy ditësh në faqen e malit të Çikës, në zonën mes Dhërmiut dhe Himarës.
Një qytetare ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania dhe ka dërguar pamje nga zjarri, duke ngritur shqetësimin për përhapjen e flakëve në një zonë malore.
Sipas denoncueses, zjarri ka qenë aktiv përgjatë gjithë ditës dhe flakët po përhapen me shpejtësi. Ajo pretendon se ka tentuar të kontaktojë numrin e emergjencave, por e ka gjetur atë të padisponueshëm.
“E kemi njoftuar edhe policinë, por nuk na është dhënë informacion nëse ka mobilizim për neutralizimin e flakëve”, shprehet qytetarja.
Në pamjet e dërguara në redaksi, flakët duken të përhapura në faqen e malit në disa vatra, ndërsa qytetarja kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përhapjen e zjarrit.