Një tjetër rast që ngre shqetësime serioze për sigurinë në vendet e punës është filmuar pranë rrugës “Adem Sheme” në Sarandë.
Në pamjet e siguruara nga një qytetar, një punëtor shihet duke punuar në çatinë e një pallati 9 katësh teksa po zëvendëson tjegullat e çatisë. Ajo që bie në sy është fakti se punëtori qëndron i varur në cepin e çatisë, pa pajisje të dukshme mbrojtëse, pa skela, pa mbajtëse dhe pa litar sigurie.
Një situatë e tillë përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për jetën e punëtorit dhe vë në dukje edhe një herë problemet me zbatimin e standardeve të sigurisë në vendet e punës.
Në sektorin e ndërtimit, ku puna në lartësi dhe përdorimi i makinerive e pajisjeve të ndryshme paraqesin rrezik të lartë, masat e sigurisë nuk duhet të jenë një zgjedhje, por një detyrim. Ndër vite, në Shqipëri janë raportuar raste të shumta ku punëtorë kanë humbur jetën apo janë plagosur si pasojë e rrëzimeve nga lartësitë apo shembjeve të strukturave.
Megjithatë, raste të tilla vazhdojnë të përsëriten. Mungesa e pajisjeve mbrojtëse, kushtet e pasigurta të punës dhe kontrollet joefektive apo të pamjaftueshme ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zbatohen rregullat e sigurisë në kantieret e ndërtimit.
Një aksident mund të ndodhë në vetëm pak sekonda, ndërsa pasojat mund të jenë të pakthyeshme.