Një vendim i fundit i gjyqësorit britanik pritet të pezullojë apo pengojë kthimin e detyruar drejt Shqipërisë të shumë të rinjve që janë identifikuar si viktima të trafikimit njerëzor.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të rastit të një 21-vjeçari shqiptar. I riu ishte trafikuar fillimisht nga një grup kriminal në Belgjikë dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar, ku ishte detyruar me dhunë të punonte në shtëpi bari për kultivimin e kanabisit. Edhe pse autoritetet e njohën zyrtarisht si viktimë trafikimi, kërkesa e tij për azil u refuzua fillimisht me pretendimin se ai mund të ri-integrohej i sigurt në Shqipëri.
Tre gjyqtarë të lartë të Gjykatës së Emigracionit në Britani rrëzuan vendimin paraprak, duke argumentuar se i riu përballej ende me një rrezik real hakmarrjeje apo rishfrytëzimi nga trafikantët, madje edhe pesë vite pas shkëputjes prej tyre.
Përmes këtij vendimi, gjykata vendosi udhëzime të reja që Home Office dhe autoritetet britanike duhet t’i zbatojnë me detyrim përpara çdo procedure dëbimi ndaj meshkujve të trafikuar. Ndër pikat kyçe të argumentuara nga gjykata është fakti se në Shqipëri mungojnë strukturat e posaçme shtetërore dhe mbështetëse për mbrojtjen dhe trajtimin e kësaj kategorie.
Sipas të dhënave zyrtare të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, djemtë dhe burrat e rinj nga Shqipëria përbëjnë tashmë grupin më të madh të viktimave të trafikimit të identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar.