FIFA ka marrë masa të forta disiplinore ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), disa futbollistëve dhe pjesëtarëve të stafit të kombëtares, pas incidenteve të regjistruara në finalen e Kupës së Botës.
AFA është dënuar me një gjobë prej rreth 275 mijë eurosh, ndërsa dy ndeshjet e ardhshme të Argjentinës në shtëpi duhet të zhvillohen me vetëm 50% të kapacitetit të stadiumit.
Një pjesë e gjobës, rreth 85.5 mijë euro, do të përdoret për një program të posaçëm kundër diskriminimit. Megjithatë, një pjesë e sanksioneve është pezulluar për periudhë prove, përfshirë një nga dy ndeshjet me kapacitet të reduktuar dhe shumën prej 85.5 mijë eurosh.
Sanksionet individuale kanë prekur disa prej futbollistëve argjentinas. Leandro Paredes është pezulluar për plot 10 ndeshje, ndërsa është gjobitur me rreth 77 mijë euro.
Nahuel Molina ka marrë një pezullim prej 7 ndeshjesh dhe një gjobë prej rreth 77 mijë eurosh.
Ndërkohë, Tiago Almada është dënuar me një ndeshje pezullim dhe një gjobë prej rreth 25.6 mijë eurosh.
Masat disiplinore kanë prekur edhe stafin e kombëtares. Roberto Ayala është pezulluar për 3 ndeshje dhe është gjobitur me rreth 25 mijë euro, ndërsa Pablo Martin Paez Gavira do të mungojë në një ndeshje dhe është dënuar me të njëjtën masë financiare.
Vendimi i FIFA-s pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te Argjentina, e cila do të përballet me kufizime në ndeshjet e ardhshme në shtëpi dhe me mungesa të rëndësishme për shkak të pezullimeve.