“Kamerat i ke drejtuar nga lokali im”, zbardhet dëshmia e autorit të plagosjes në “Rus”

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 21.08.2026, 11:43

Një debat për kamerat e sigurisë dyshohet se ka qenë shkaku që çoi në përplasjen mes Pjerin Bitanit dhe fqinjit të tij, Vladimir Brucit, ngjarje që përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit në lagjen “Rus” të Shkodrës.

Sipas të dhënave paraprake, Bruci, i cili ka në pronësi një parkim pranë lokalit të Bitanit, kishte vendosur disa kamera sigurie në një shtyllë. Bitani kishte pretenduar se kamerat ishin të orientuara drejt biznesit të tij dhe jo drejt hapësirës që ato supozohej të monitoronin.

Për këtë arsye, 70-vjeçari i kishte kërkuar fqinjit të tij heqjen e kamerave, kërkesë që, sipas të dhënave të deritanishme, është kundërshtuar nga Bruci. Debati mes tyre më pas ka vijuar në rrugë, ku situata është përshkallëzuar.

Sipas deklarimeve të Bitanit në polici, ai pretendon se Bruci e ka ofenduar në prani të familjarëve që ndodheshin në lokal. Pak çaste më pas, 70-vjeçari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të Brucit, duke e plagosur atë. Nga të shtënat është dëmtuar edhe një automjet i parkuar pranë vendit të ngjarjes.

Pas krimit, Bitani është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën. Pas negociatave me familjarët, ai është bindur të dorëzohet në polici. Megjithatë, arma e zjarrit nuk është gjetur ende.

Para uniformave blu, Bitani ka deklaruar se e ka hedhur armën diku gjatë largimit, por nuk ka treguar vendndodhjen e saktë të saj. Pavarësisht kontrolleve të kryera, policia nuk ka mundur ta gjejë deri më tani.

Ndërkohë, pas ngjarjes, policia e Shkodrës ka urdhëruar heqjen dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë të vendosura në parkimin e Vladimir Brucit. Pajisjet pritet të jenë pjesë e hetimit për të përcaktuar nëse orientimi i tyre ka qenë realisht drejt biznesit të Bitanit dhe nëse ky element ka shërbyer si shkak për konfliktin.

Vladimir Bruci ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit